top of page
Writer's pictureAldona Hoxha

Shtatë banorë të izoluar nga dëbora ngjisin malin në këmbë për tek familjarët


Shtatë banorë të Dukagjinit kanë vendosur që të sfidojnë borën, ngricat e ndoshta edhe shumë më shumë se kaq. Ata janë nisur në këmbë drejt Dukagjinit në një udhëtim të rrezikshëm. Këtë e kanë ndërmarrë për t’u shkuar në ndihmë familjeve të tyre që janë prej ditësh të izoluara.

Banorët do të duhet të ecin të paktën 20 orë në këmbë, duke hequr momentet kur mund të jenë ndaluar për të pushuar si e vetmja mundësi për të shkuar te familjet e tyre. Rruga në Malin e Shoshit është e bllokuar në Dukagjin për shkak të trashësisë së borës. Edhe ana tjetër e rrugës në Qafë Thore, që lidh Shkodrën me Dukagjinin është e bllokuar. Kështu, duke mos pasur rrugë tjetër për t’i dërguar ilaçe dhe ushqim familjeve, kanë vendosur që të udhëtojnë në këmbë, duke mos marrë parasysh rrezikun serioz si shkak i pranisë së borës dhe ngricave.



Një prej tyre, Bardhok Nika rrëfen arsyet e këtij udhëtimi që kanë marrë përsipër ndërsa ka një apel të fortë për të gjitha strukturat shtetërore, të cilat nuk janë pranë banorëve në këto ditë të vështira për ta. “Ne jemi një grup prej 7 personash që jemi nisur drejt njësisë Shalë në këmbë. Fillimisht kemi ecur rreth 14 orë deri në Malin e Shoshit. Një natë kemi fjetur aty sepse nuk arritëm që të shkojmë në kohën që e menduam dhe jemi nisur gjatë të enjtes (dje) sërish për të ecur edhe për disa orë të tjera. Kemi tri ditë që jemi duke ecur në mes të borës. Natyrshëm që ky rrugëtim për ne është i rrezikshëm, por nuk kemi rrugë tjetër.

Është edhe më e vështirë se mendohet sepse kemi edhe disa gjëra me vete që po i mbajmë në shpinë. Kemi familjet në Dukagjin dhe ata janë të izoluar, që kanë nevojë për ushqime dhe ilaçe. Ndodhen në kushte të vështira sepse nuk kanë asnjë lloj ndihme”, shprehet Nika. Ashtu si familjet e këtyre 7 personave që kanë ndërmarrë këtë udhëtim të rrezikshëm, duke ecur në këmbë, ndodhen edhe të gjithë banorët e tjerë të izoluar nga bora si shkak i bllokimit të rrugës në dy anët e saj. Vetëm pak ditë më parë, Forcat Ajrore ndërhynë me helikopter për të shpëtuar 8 mësues që ishin bllokuar prej disa ditësh në Dukagjin. Bashkë me mësuesit, helikopteri transportoi dhe disa persona të tjerë që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

Foshnja e djegur, transportohet me helikopter për në Tiranë

Një foshnje është transportuar me helikopter nga fshati Theth i njësisë Shalë në Dukagjin, pasi ka pasur temperaturë të lartë. Pesë ditë më parë është djegur në fytyrë në një sobë me dru dhe tashmë si shkak i plagëve ka pasur temperaturë të lartë dhe në këtë mënyrë është dashur transportimi me helikopter drejt Tiranës për të marrë mjekim të specializuar.

Mësohet se foshnja 18- muajshe, gjendet e shtruar në Repartin e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Po ashtu dy ditë më parë një 79-vjeçar nga Lepusha e Malësisë së Madhe, Dodë Peposhi, u transportua me helikopter drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për shkak të dhimbjeve të forta të barkut. Situata në zonat malore të Qarkut Shkodër si shkak i borës dhe ngricave bashkë me temperaturat e ulëta vijon të jetë e vështirë për banorët



159 views0 comments

Opmerkingen


bottom of page