Nëse je shqiptar dhe s’ke vizituar akoma Tropojën, të të vijë zor nga vetja!
Keshtu nis shkrimi i Fjorda Llukmani.
Edhe emigrant po të jesh, ky vend duhet të jetë në top listën tuaj për t’ju treguar miqve të huaj se ç’bukuri kemi. Përveç natyrës, tropojanët janë shumë të dashur. Legjendat urbane që kam dëgjuar për ta, u shuan sapo takova njerëzit e parë.
U nisëm për në Tropojë nga rruga që të çon në Gjakovë.
Pra e kaluam kufirin dy herë. Në kufirin e Gjakovës me Tropojën në një kafene shkruhej “S’ka kufi”. Dhe në të vërtetë ashtu ishte. Na kontrolluan kartat e identitetit sa për të thënë, jo ndonjë kontroll i imtësishëm. Çfarë më bëri përshtypje së pari, ishte që rrugët e Shqipërisë janë pastruar komplet nga dëbora. Kurse në Gjakovë edhe në qytet me raste na xhironte makina (megjithëse me goma dimri e fuoristradë).
Qëllimi i vizitës sonë ishte të mbillnim disa pemë në Tropojë me të rinjtë e shkollës “Matosh Uka” , Fierzë.
Takohemi me mësuesit e shkollës dhe drejtoreshën, më pas me nxënësit. Njëri prej tyre më kishte parë në televizor gjatë verës kur punoja tek “ABC News” me “Edicionin Veror”. M’u bë qejfi jashtë mase!
Çunat e shkollës dy metra të gjatë, tamam siç përshkruheshin në Eposin e Kreshnikëve. “Duhet të shtoheni pak në Tiranë se, ngelëm duke u ngjizur me shkurtabiqë!”,-u them me shaka. Zgjodhëm të mbillnim pemë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.
Terreni me borë nuk na ndaloi, sepse të gjithë ishim me lopata nëpër duar. Pasi mbaruam, kisha në dorë boksin e muzikës e më shkrepi truri të vendos ‘Vallen e Tropojës’. Në fund të fundit ishim në Tropojë dhe askund më mirë se aty s’mund ta kërcenin më bukur këtë valle.
Me shpejtësinë e erës u formua rrethi, e plasi vallja mbi urë si nëpër dasma. Turqit që punonin në hidrocentral nxorën telefonat për të na xhiruar. Po ashtu një fugon linje Fierzë-Bajram Curr nuk e kalonte urën vetëm për të na parë ne. Atmosferë shumë festive e mikpritëse me të rinjtë tropojanë. Mbaj mend që kam pasur në gjimnaz disa djem Tropoje, edhe ata ishin njësha për të kërcyer valle popullore. Kthehemi në qendër të Bajram Currit për të shkrepur disa foto, e të takonim një tjetër personazh. Pedonalja e shtruar dhe e rikonstruktuar së fundmi i ka dhënë goxha sy vendit. “Këtu nuk bllokohen rrugët se pastrohen çdo ditë.
Mund të bllokohen në fshatrat e thella, por jo qyteti!”,- më thoshte zotëria që takuam. “Ju gazetarët e keni qejf ta bëni qime tra apo jo?”,-dhe më shikonte mua duke qeshur. M’u në mes të qytetit shoh një foto të madhe të Sali Berishës. Pak më vonë fillova ta ngacmoja zotërinë që na shoqëronte. Rrugës për në fshatin Merkaj ai na tregonte se kush vip vinte nga x fshat etj. “Po Sali Lusha nga cili fshat është?”,-e pyes unë. “Ah Saliun e kam mik, se gruaja ime është kushëri me të. Vjen nga filan fshat.”,- më kthente përgjigje i padjallëzuar. “E ç’thuhet këtej nga anët tuaja për zgjedhje? Apo të gjithë me Berishën jeni, normal se e keni dhe tropojan.”,- i them unë. “Nuk diskutohet respekti maksimal që kemi për figurën më të lartë Sali Berisha, që ka dalë nga anët tona. Por unë këto kohë jam kthyer pak në komunist. A nuk e pe sa e bukur ishte pedonalja?”,-ma kthen zotëria rreth të 50-tave. Aty të gjithë ia shkrepëm të qeshurës. Një tropojan që vlerëson, por s’voton Sali Berishën do të mbesë gjatë në memorien time. - Surpriza më e bukur e ditës ishte vizita në Valbonë. Që kur filluam të futeshim në luginë, dukeshin malet që sa vjen e hapeshin. Ishte ora 3 pas dreke dhe dielli binte vetëm në majat e maleve. Gjithë rrugës na shoqëronte lumi i Valbonës. Kudo bardhësi…
S’kisha parë në jetë pamje natyre më të bukur se aq. E vizitoja Valbonën për herë të parë. Sytë i mbaja në dritare e vetëm thosha “Ua, ua, uaaa” Kur hymë brenda në luginë, rrethoheshim vetëm nga male. Kishte rënë aq shumë borë sa mua në këmbë. Gati 1 metër e gjysmë.
Por prapë rrugët janë të lira e të mirëmbajtura. S’ke fare problem ta vizitosh me makinë. Biles sugjeroj mos të merrni rrugën në vendet fqinje, por të shikoni çfarë ka këtu.
Syri më zuri dhe shkollën e ambulancën e Valbonës. Imagjino të jetosh aty gjithë vitin. Mora biçikletën e bëra një shëtitje të shkurtër midis pemësh.
Ajër më i pastër s’bëhej. E krahasova këtë pamje me malet në Zvicër, ose Alpet e Italisë. Më besoni ska asnjë lloj ndryshimi për nga bukuria, përveçse disa investimeve më shumë.
Dora më thau nga i ftohti, prandaj ndalova biçikletën dhe e mbështeta në murin me dëborë anash. Në këmbë rrotullohesha rreth e qark për ta memorizuar atë pamje.
Sa keq që e zbulova Tropojën kaq vonë. Megjithatë më mirë vonë se sa kurrë. Nje shkrim nga Fjorda Llukmani !
Faleminderit per fjalet dhe shkrimin qe e keni kushtuar Tropojes respekte.
Te lumte dora ♥