top of page
Writer's pictureAldona Hoxha

Prej 7 vitesh në Angli, i riu nga Tropoja kthehet për protestën e studentëve me mesazhin e fortë.

Protesta studentore, protesta e diasporës, protesta e banorëve të Astirit dhe një protestë e të tre palëve bashkë.

Ditën e sotme para institucionit të Kryeministrisë në Tiranë, protestës studentore iu bashkuan edhe banorët e Astirit ashtu sikurse edhe disa emigrantë shqiptarë.

Një prej tyre është edhe i riu nga Tropoja, Visar Kojeli, i cili kishte ardhur nga Anglia për të përkrahur studentët.


Visari tha :

Kam ikur para 7 vitesh në Angli ilegal sepse në Shqipëri nuk shihja asnjë shpresë për të ardhmen edhe pse familja ime nuk ishte keq ekonomikisht. E ardhmja ime nuk mund të ishte në këtë vend ku meritokracia ka vdekur dhe ëndrrat e të rinjve shtypen pa nisur akoma të realizohen.

Vendosa të vij në protestë sepse protesta është e vetmja ngjarje që mund të zgjojë shpresën në këtë vend, sot pashë të rinj që u shndritnin sytë teksa thërrisnin për arsim publik falas dhe cilësor.

Unë tani jam me punë dhe me letra të rregullta në Angli, por e dua Shqipërinë pikërisht nga këta dhe për këta të rinj. Kjo është arsyeja që nuk mund të rrija indiferent ndaj kësaj proteste, e cila realisht ka ngjizur tashmë një ndryshim në shoqërinë tonë dhe besoj se shumë shpejt do kemi kulturë të të protestuari. E di që sfidat që këta të rinj kanë përpara janë të mëdha, por u bëj thirrje që të mos tërhiqen edhe sikur të mbeten më pak se sa dot në shesh.”

Pankarta që Visari mbajti sot në protestë, shkruante: Bëjeni Shqipërinë që ta lë Anglinë.

Por çfarë ka nënkuptuar me të tropojani?



Ju e dini që shumë të rinj shqiptarë rrezikojnë jetën në Angli me punët në të zezë që të fitojnë pak para për të bërë përpara në jetë ose për të nxjerrë familjet që kanë në Shqipëri nga skamja.

Kjo rrugë nuk është zgjedhje por zgjidhje e tyre, të gjithë duam që të kemi shanse të barabarta në Shqipëri, të punojmë këtu për veten dhe për pasardhësit tanë, mbi të gjitha për Shqipërinë!


Shqipëria e ka potencialin për t’u bërë shembull në Ballkan dhe Europë sa i takon mirëqenies, nuk na mungon asgjë përveçse një qeverie që mendon për popullin dhe për të ardhmen. Historia në këto vite ka treguar se asnjë qeveri si majtas apo djathtas nuk ka parë për të ardhmen, por kanë marrë vendime dritëshkurtra që kanë rrënuar çdo gjë. Askush nga pushtetarët e 28-viteve të fundit, por edhe më përpara, nuk ka menduar për të nesërmen në këtë vend. Nuk u intereson apo kështu u intereson këtë nuk di ta them tamam.


Kështu që vetëm me protesta dhe me përshkallëzim të tyre mund të rrëzohet ky rend dhe të ndryshohet mënyra se si Shqipëria qeveriset.

778 views0 comments

Comments


bottom of page