Mbledhja e grupit Parlamentar të PD ditën e djeshme është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve demokratë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha.
Deputeti Ervin Salianji ka kërkuar djegien e mandateve, dhe nëse kjo nuk bëhet, ata të futen në Parlament dhe të kërkojnë interpelanca. Ai po kështu kërkoi që të bëhet një protestë e madhe para Kryeministrisë, për të larguar Ramën nga pushteti.
“Unë mendoj që ne duhet të lëmë mandatet, dhe të bashkohemi me popullin në protesta dhe revoltë. Ose nëse shihet si alternativë që të mos djegim mandatet, atëherë të ndajmë mendjen dhe të hyjmë në Parlament për betejë.
Të kërkojmë zhvillimin e interpelancave dhe të nisim përzgjedhjen edhe prezantimin e kandidatëve për 61 Bashkitë, në mënyrë që të fillojmë fushatën sa më parë. Mendimi im është qe ne duhet të bëjmë protestë të fortë para Kryeministrisë.
Duhet të nxjerrim sa më shumë njerëz para Kryeministrisë, që të ç’rrënjosim Ramën”, u shpreh Salianji. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe deputetja Rudina Hajdari. “Ne duhet të shkojmë me vendim të qartë tek njerëzit, për të kërkuar protesta”, u shpreh ajo.
コメント