top of page
Writer's pictureAldona Hoxha

Njihuni me mjeshtrin e Lahutes dhe Çiftelisë !

Suadela Balliu – Me shaka, veten e quan Arbëresh – një version i përditësuar dhe modern i shqiptarëve të lindur e rritur jashtë territoreve shqipfolëse – jeton në Asti, në rajonin e Piemontes, në Itali, u jep mësim fëmijëve më të vegjël shqiptarë, që si ai kanë lindur në emigracion dhe prej thuajse katër vitesh punon në mënyrë artizanale instrumente muzikore tradicionale të Shqipërisë dhe luan e këndon me lahutë, çifteli, sharki e fyell.

Por ljutari shqiptar i lindur në veri të Italisë, jo vetëm që nuk e ka trashëguar këtë zeje nga të parët e tij, me prejardhje nga Malësia e Madhe, por as ka studiuar në ndonjë shkollë ljutarie, siç është ajo e famshmja e Kremonës në Lombardi për prodhimin e violinave Stradivari e as ka studiuar arte. “Punoj lahuta si pasion personal. Nga fillimi e deri në çastin që tingëllon”, rrëfen Kristian Zefi, 21 –vjeçari i diplomuar në Elektronikë. “Ky pasion lindi nga dëshira më pas atë vegël muzikore dhe, për shkak të banimit në diasporë, nuk prisja dot pushimet verore për ta blerë një”, vijon i riu. E nisi fillimisht me çiftelinë.

E bleu në një nga ato pushimet verore në Shqipëri dhe iu desh shumë punë dhe kohë e gjatë duke parë video në internet që të mësonte të luante me të. Instrumenti i parë ishte i thjeshtë, bazik, aq sa i duhej për të mësuar si të luante në të. Më pas, deshi të blinte një lahutë, por kuptoi se ishin më të kushtueshme se çiftelitë dhe i vajti në mend ta punonte vetë. Ishte 17 vjeç asokohe. Megjithëse thotë se nuk e ka traditë në familjen e tij, zbuloi, pasi mësoi t’i binte lahutës se gjyshi i të atit, kishte qenë lahutar në Lezhë, qytet ku ishte vendosur për vite familja e tij, përpara se të shpërnguleshin në Shkodër.

Nga koha kur punoi lahutën e parë e me shumë emocion e mori me vete në Shqipëri për t’ia treguar gjyshes, e cila e dashuronte instrumentin, Zefi thotë se i punon sa herë gjen kohë të lirë nga puna si programues makinerish enologjie. Me fare pak mjete sjell në jetë instrumentet, të cilat i pasuron me gdhendjet e simboleve pagane ilire si ylli, gjarpri, dhia, shqiponja, figura gjeometrike.


Ka një daltë, një limë, një letër smeril, copën e drurit, që përpiqet ta zgjedhë nga më i miri dhe siç thotë ai, shumë pasion për të punuar instrumentet e vjetra shqiptare. “Më vonë kam punuar edhe lahuta të tjera mâ të bukura dhe mâ të mira, pasi përmirësova teknikën e punimit të drurit.” Nuk mungojnë në dekoret e tij edhe figura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shenjta Nënë Terezë. Ishte pikërisht në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa, që Kristian Zefi luajti për herë të parë në lahutë. Ende nuk ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje kulturore për rapsodë e lahutarë – edhe pse veten nuk e konsideron të tillë – por, siç thotë ai “dëshira ime me i tregu’ se traditat tona nuk kanë vdekë, as në diasporë, asht’ shumë e madhe”. Megjithatë në ngjarje kulturore organizuar nga shoqata shqiptare jashtë vendit, thotë se performancat e tij janë pritur ngrohtë. Me lahutë thotë se këndon këngën e Norës së Kelmendit, malësores së shekullit të 17-të, e njohur si Helena e Shqipërisë, për bukurinë e saj të pashoqe, të krahasueshme me atë të zanave dhe sepse kjo bukuri e saj shkaktoi luftë të madhe.

Legjenda thotë se rreth motit 1637, një luftëtar fisnik shqiptar nga fisi i Kelmendëve, uronte t’i lindte djalë, që të rritej e të trimërohej për të luftuar kundër Perandorisë Osmane. Kur Nora lindi, i ati e braktisi. Ishte halla e Norës, që pasi mësoi atë që bëri i vëllai, e birësoi foshnjën dhe e rriti si djalë. I ati i Norës nga dëshira për ta trajnuar e për ta bërë luftëtar dhe duke menduar se ishte djali i birësuar i së motrës, vendosi ta trajnojë si luftëtar, pa e ditur se qe e bija.

Kur Nora u rrit, u bë më e bukura e Malësisë. Fama e bukurisë së saj u përhap nëpër tërë vendin. Një pasha që banonte në Rozafat të Shkodrës, dëgjoi për të dhe desh ta martonte me çdo kusht. Pashai boshnjak, desh të martohej me ligjet shqiptare të Kanunit, që do të thoshte që ai do të dërgonte një njeri i besuar te shtëpia e Norës e të kërkonte dorën e saj. Por, familja e Norës u përgjigj se Kanuni shqiptar nuk i lejon martesat e vajzave me joshqiptarë. Pashai i pamësuar me të tillë refuzime u betua se ose Nora bëhej e tij, ose ai do të digjte e shkrumbonte Malësinë. Në të gjitha versionet e legjendës, edhe në atë ku Nora shkon fshehurazi në çadrën e pashait dhe në atë kur udhëheq ushtrinë e saj me 300 gra kundër ushtrisë osmane, pashai gjen vdekjen nga dora e saj. Përtej legjendës, faktet historike tregojnë se në atë periudhë, ishin 500 luftëtarë kelmendas që i zunë pritë ushtrisë osmane prej 12 mijë forcash, sipas Pjetër Bogdanit. “Këndoj edhe disa vargje nga poema e At’ Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”, zbulon më tej Zefi, duke shpresuar që repertori i tij me këngë, historike e kreshnike, në të ardhmen të bëhet edhe më i madh.


Në Asti të Italisë, ku Zefi banon, thotë se kanë hapur një shkollë shqip, për fëmijët shqiptarë, të lindur në diasporë. “Aty i mësojmë gjuhën, traditat, gjeografinë, historinë dhe muzikën, të cilën me shumë krenari ua mësoj unë, sepse për fat të keq, krejt historia jon ka hup, gjatë pushtimeve të popujt sllavë dhe turq dhe, e vetmja mënyrë për me rujt’ historinë ton ishte kanga dhe muzika”, thotë i riu, duke shtuar se për shqiptarët mësuesi i muzikës asht’ edhe mësues historisë.Lahutës nuk mund t’i binte pa veshjen e duhur, me të cilët kishte parë piktura dhe fotografi të vjetra të rapsodëve lahutarë. “ Por veshje nuk kisha dhe këto që i punojnë sot nuk më pëlqejnë hiç, sepse nuk kanë asnji lidhje me veshjet që mundemi me i pa tek pikturat dhe fotografitë e vjetra”. Kështu kontaktoi me Servete Kastratin, nga Kosova, e cila mesa kishte vërejtur Kristian Zefi, i punonte mà ngjashëm me ato të vjetrat”, kostumet popullore shqiptare.


“Duke kërkuar modelin që më pëlqente, në krejt fotot të Marubit vizatova modelin me krejt qëndisjet dhe matjet. Ia dërgova pjesët dhe i thashë: “Kështu me ma qep!” Rrëfen se kostumi, që i qepi zonja nga Kosova doli shumë i ngjashëm me modelin e vjetër. Kur e pyesin rreth debatit që u hap pak kohë me parë, pasi u bë e ditur se Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara –UNESCO- regjistroi si pasuri shpirtërore të Serbisë të kënduarit nën shoqërimin e lahutës, Zefi thotë se e pati të qartë se bëhej fjalë për “Këndimin e eposit të tyne me lahutë”, dhe jo lahuta si instrument. “Megjithatë u ndjeva shumë keq, për shkak të kësaj ngjarjeje, sepse jemi ne vetë fajtorët e humbjes së identitetit të këtij instrumenti”, shton ai, “Me mosvlerësimin nga populli për traditat e veta dhe heshtjen e qeverisë, jemi drejt nji degjenerimi kulturor total”, është i mendimit i riu, i cili megjithëse e pohon se ka lindur dhe është rritur në mes të kulturës italiane, “e njoh vedin shqiptar, sepse kombësinë tanë ta jep gjaku dhe jo nji letër.” Kështu, e sheh si detyrë të trashëgojë tek brezat më të rinj artin dhe kulturën shqiptare. “Edhe në kjoftë se kam diplomë në Elektroteknikë dhe punoj si programues makinerish”. Dëshira e tij është që lahutarët e Shqipërisë dhe të diasporës të bëhen bashkë për të mbledhur gjithë eposin tonë dhe, “me i tregu’ botës kujt i përket me të vërtetë ky instrument”.



Po të kishte mundësi, thotë se do t’i punonte instrumentet e vjetra muzikore çdo ditë. Një ditë, një djalë, të cilin Zefi e ndiqte në rrjetet sociale për të mësuar prej tij më shumë rreth instrumenteve shqiptare, i shkroi duke i kërkuar t’i punonte një çifteli. Ai jetonte në Nju Jork dhe kishte plot dyzetetre të tilla. Iu desh një muaj punë, pak dru i mirë dhe shumë durim për të gdhendur zbukurimet në çiftelinë që e nisi në Shtetet e Bashkuara. Me parafytyrimin e largët në kohë të rapsodëve që këndojnë me lahutë bëmat mitike të kreshnikëve shqiptarë që luftonin armiqtë fqinj, një djalë i ri i lindur dhe i rritur jashtë Shqipërisë, që i ka mësuar jo vetëm instrumentet muzikore, por edhe historitë, legjendat e këngët përmes internetit, nuk mund të kalojë pa shkaktuar habi e nëse ai me shaka e quan veten “arbëresh 2.0”, fare mirë mund ta quajë edhe lahutar i brezit të globalizmit dhe teknologjisë së informacionit. Mjafton vetëm vullneti i mirë për të ruajtur traditat e kështu asgjë nuk është e humbur, as tek ai brez i lindur në emigracion, në mes të një shoqërie me kulturë e gjuhë të huaj.

176 views0 comments

Comments


bottom of page