Rrethi i Tropojës ka qenë historikisht vatër monumentesh kulturore, fakte që janë dëshmi e historisë së saj. Ndër to mund të përmendim:
Qyteza ilire e Rosujës është e pozicionuar mbi vargëzime shkëmbore të kategorizuara nga banorët vendas si "Qyteti i Madh" dhe "Qyteti i Vogël". Ka qenë qendra e parë administartivo – tregtare që në lashtësi.
Qyteza e Shoshanit është e vendosur në grykën e fshatit Dragobi dhe ka shërbyer si bazë strategjike mbrojtëse e fortifikuar në luginën e Malësisë së Gjakovës, gjatë pushtimeve të hershme.
Qyteza e Grisë shërbente në lashtësi si nyje lidhëse mes kalasë së Lekës në fshatin Rajë me atë të Selimajt e të Rosujës.
Kalaja e Lekës në Rajë ishte kala mesjetare e ndërtuar për të mbrojtur vendin nga sulmet e vazhdueshme që vinin nga lugina e lumit Drin.
Kalaja e Kaurrit ndodhet ne Velisht, pranë fshatit Geghysen.
Kalaja e Komit ndodhet në vendin e quajtur “Mullinjtë e Gradit”.
Tumat e Bujanit janë varre ilire të zbuluara në vendin e quajtur “Mollë e Kuqe”, jo shumë larg Rosujës.
Kulla e Mic Sokolit gjendet në fshatin Bujan, kullë tipike ngujimi dhe betejash, me vlera të rëndësishme etnografike dhe me dritaret e vogla karakteristike për kullat e zonës, të quajtura “frengji”.
Kulla e Sali Manit ishte shtëpia historike trekatëshe ku u mbajt Konferenca e Bujanit.
Mulliri i Bajram Currit është një godinë dykatëshe e ndërtuar pranë Vrellës së Shoshanit.
Muzeu Historik i rrethit ndodhet në qendër të qytetit të Bajram Currit, pranë të cilit ngrihet dhe statuja e Heroit të Popullit me të njejtin emër.
Comments