top of page

Elida Buçpapaj - Refugjatet (Poezi)

Writer's picture: Aldona HoxhaAldona Hoxha

Refugjatët nuk e njohin të nesërmen e tyre

nuk e dinë se çfarë i pret

ata janë pa të nesërme

se Europa është bërë një oqean i trazuar përpirës

që ua mbyt anijen e shpresave

Refugjatët nuk kanë të drejtë të kenë ëndërra

ata i shkulin ëndërrat nga shpirti

ditën që i çrrënjosin nga shtëpitë e tyre

e i detyrojnë të marrin ikën

me fëmijët në krahë

që rriten e bëhen burra dhe gra menjëherë

brënda natës

sa ndeshen me sytë e akullta të Europës

dhe shpirtin e saj prej telesh me gjemba

Refugjatët janë pa të nesërme

sipas verdiktit të qytetërimit

më të qytetëruar të botës

që lirinë e ka kthyer në tatuazh të vetin

të paprekshëm nga vargjet kilometrikë

të refugjatëve

si vargjet e hebrejve në kohën e djallit

Refugjatët nuk e dinë të nesërmen

asnjë fallxhor nuk ua lexon dot

vijat e fatit në duart e tyre

të ngritura lart

në lutjen që bie në veshë të shurdhër

refugjatët ecin drejt të panjohurës të frikëshme

kur nga rruga shohin veç rrokaqiej

pa dritare dhe dyer

ku ata nuk kanë se ku të trokasin

dhe dikush t’ua hapë derën e t’u thotë

“mirë se vini”

fjala “mirë se vini” është shuar

nga fjalorët e gjuhëve të Europës

ditën që barbarët

i shkulën nga vatrat e tyre

e ata morën ikën nëpër rrugët e botës

me fëmijët në krahë

që vuajnë me miliona

trupa e shpirtëra

si Krishti i kryqëzuar

në mileniumin e tretë

pas erës së re…

Poezi per refugjatet
Elida Bucpapaj

 
 
 

Comentários


bottom of page